Gerta e “BB5”: “Ju tregoj bisedat që më ka bërë Françeska për të dashurin në burg”



Ai u dënua për lëndë narkotike, Françeska mendon veç për të. Lidhja me Ermalin, vetëm për lojë.


Edhe ajo është vlonjate, ndaj në lojën e “Big Brother 5” do ta shfaqte karakterin e saj për të dominuar. Hyrja e Gerta Matohitit në lojë u pa si rrezik nga Françeska, një tjetër vlonjate, 19-vjeçare, e cila nuk e fshehu në asnjë moment xhelozinë e saj për Ermalin. Po pavarësisht të gjithave, Françeska në një moment e konsideroi atë mikeshë, së cilës mund t’i rrëfente ca sekrete më shumë për jetën e saj. Edhe pse ajo po jeton një lidhje dashurie në prani të kamerave me Ermalin, Françeska i ka rrëfyer Gerit për ish-të dashurin e saj në burg.


Geri u duk se me Françeskën kishit një lloj konkurrence në lojën e BB5, pavarësisht se kalonit kohë bashkë. Si do e komentoje?
Konkurrencë?!
Absolutisht jo! Nga ana ime mund të them me bindje që nuk kishte asnjë lloj ndjesie të tillë kundrejt Françeskës. Unë kam shumë besim te vetja dhe s’i shoh asnjëherë femrat e tjera si konkurrente. Unë femrat e mira dhe që mbahen dua t’i kem afër, dhe ndaj s’bëhem aspak xheloze për to. Mbase Françeska më ka parë mua si të tillë, duke u bërë xheloze për Ermalin…
Pikërisht në lidhje me xhelozinë e saj ndaj teje duke të parë si rrezik për Ermalin, kishte ndopak të drejtë Françeska?
Mendoj se ajo bëhej xheloze pa arsye për Ermalin. Gjithsesi, e kuptoi dhe vetë shpejt që unë me të vërtetë s’kisha lidhje fare me Ermalin.
Ndërkohë publiku është bërë kureshtar më shumë të mësojë rreth një bisede mes teje dhe Françeskës, ku ajo të ka rrëfyer për lidhjen e saj të mëparshme. Ishe kureshtare ti të mësoje për të dhe çfarë të tregoi ajo?

Në fakt nuk e kam ngacmuar unë Françeskën të më tregojë për lidhjen e saj të mëparshme jashtë shtëpisë, por e ka ndier ajo të nevojshme të më shprehet. Ajo më ka treguar vetë për lidhjen e saj të mëparshme dhe më ka thënë që ka qenë shumë e dashuruar me ish-të dashurin e saj.
Ka përmendur emër, kush është ai?
Jo, të them të drejtën nuk më ka përmendur emër, por më shumë është shprehur për ndjesitë e saj.
Dhe çfarë të ka treguar tjetër?
Më rrëfeu “me  të vërtetë e kam dashur atë djalë”. Madje, kishte momente që e mendonte aty brenda në shtëpi, dhe këtë fakt e dëshmonte duke folur për të gjatë gjithë kohës, duke pohuar se nuk e kishte harruar ende. Faktin që ajo e kishte ende në mendje atë djalë, ma përforcoi me përgjigjen e një pyetjeje që i bëra unë në një lojë, kur ajo më tha: “Nuk e kam harruar ish-in tim”.
Ndërkohë shtypi rozë ka shkruar se ish-i dashuri i saj vuan dënimin në burg. Ta ka pohuar dhe ty këtë fakt?
Po, ma ka pohuar dhe këtë fakt, që ish-i dashuri i saj është dënuar për lëndë narkotike dhe vuan ende dënimin në burg, me sa dinte ajo.
Po për të tjera detaje rreth tij të ka folur?
Jo, vetëm kaq. Të tjera detaje nuk më ka treguar.
Këto biseda t’i ka bërë ndërsa ajo kishte një lidhje brenda. Duke qenë e pranishme në atë shtëpi, si e shikon lidhjen e saj me Ermalin?
Përderisa Françeska shprehet pa problem që “unë nuk e kam harruar ish-të dashurin tim”, besoj se është e qartë që nuk ka ndonjë gjë serioze apo të vërtetë me Ermalin.
Po sjellja e Ermalit në lidhje me Françeskën si të është dukur aty brenda?
Përderisa Ermali shprehet dhe vepron vazhdimisht se “unë jam vetëm në këtë lojë”, gjë që e ka treguar në shumicën e rasteve aty brenda, them se lidhjen me Françeskën ai e konsideron thjesht lojë.
Ke kuptuar që mes tyre nuk ka ndjenjë?
Mund të ketë veçse një tërheqje fizike dhe asgjë më shumë. Nuk parashikoj vazhdimësi në lidhjen e tyre jashtë shtëpisë, përveçse mund të zgjasë pak për hir të njerëzve që janë jashtë dhe i kanë mbështetur, por vetëm kaq. E them me bindje që historia e tyre nuk mund të vazhdojë.
KLOTILDA HARKA  PANORAMAPLUS

Advertisement