Arjan Konomi: Genta, rasti i një femre të shantazhuar, Arbri e meritoi fitoren


Ai duket sikur ka aftësinë të na lexojë në mendime e të thotë me zë të lartë atë që do donim të thërrisnim neve. Mund të themi me bindje, që është përçuesi i mendimit dhe fjalës së publikut. Duke i shtuar kësaj aftësie eksperiencën e gjatë jetësore, inteligjencën, karrierën e suksesshme, elokuencën, forcën e arsyetimit dhe vlerat e mëdha njerëzore, Arjan
Konomi u bë për një kohë të shpejtë e vazhdon të jetë edhe sot, zëri dhe ndërgjegjja e atyre që ndjekin nëpërmjet ekranit, dhe padyshim njëri nga
opinionistët më të mirë shqiptarë. Të gjitha këto ai i shfaqi sërish, edhe një herë tjetër në reality show-n “Big Brother”, nga i cili doli si gjithmonë me sukses. Duke mos qenë akoma të lodhur nga opinionet e tij, ne i kërkuam disa të fundit të tilla, sërish lidhur me “Big Brother”, të cilat na i dha me shumë dashamirësi.


Arjan, të vjen keq që mbaroi “Big Brother”? Do kishe preferuar që kjo eksperiencë të vazhdonte më gjatë?
Natyrisht që më vjen keq. Mësohesh si me personazhet e një telenovele, bile më shumë duke menduar që ata janë të vërtetë dhe nuk kanë marrë përsipër ndonjë rol sipas skenarit. Fillon me kuriozitet, pastaj me dyshim, që shndërrohet ngadalë në interes, më vonë përfshihesh psikologjikisht dhe emotivisht, duke ndjekur evoluimin e debateve, pasioneve, marrëdhënieve që krijohen midis konkurrentëve, derisa pret të mbeten ata që konsideron më të mirët e padyshim fitoren e personazhit që ka ditur të të bëjë për vete me cilësitë, reagimet dhe veprimet e tij, por edhe me mendimet dhe emotivitetin e tij.
A të dhuron sadisfaksion ky rol? Pse?
Pse, nuk duket? Padyshim që shumë. Në radhë të parë, është një vlerësim i madh për mua. Të jesh në programin më të ndjekur në historinë e televizionit shqiptar dhe të kesh një rol kyç si ai i opinionistit është “titull” në njëfarë mënyre. Pastaj, mendoj se është vlerësim shumë i madh i eksperiencës së jetës dhe përvojës profesionale për faktin se je aty për të përmbledhur shkurtimisht, në pak sekonda kohë që ke në dispozicion, tërësinë karakteriale të një personi. Dhe nuk është e lehtë, përkundrazi një përgjegjësi e madhe, se nuk mendoj që mund të ketë një rol tjetër publik ku të jepet e drejta të analizosh njerëzit dhe lirinë për ta bërë këtë në mënyrën që ti mendon.
Si do e përshkruaje eksperiencën e këtij viti?
Shumë të veçantë. Kam qenë shumë më tepër i përfshirë dhe besoj se edhe në opinionet që kam dhënë kam qenë më i drejtpërdrejtë, duke kërkuar nga vetja që të mos jem përsëritës në krahasim me vitet e kaluara. Ka pasur shumë risi sa i takon përzgjedhjes së banorëve, të cilët kanë pasur një diversitet të madh midis tyre si për sa i përket tipologjisë së tyre, ashtu edhe marrëdhënieve të ndërsjella që janë krijuar. Është shumë e rëndësishme që edhe këtë vit kanë dalë në pah probleme e fenomene të shoqërisë shqiptare. Janë përplasur mentalitete ekstreme, p.sh ajo e femrës liberale si Françeska, që edhe pse e re në moshë ishte shumë e pavarur në dëshirat dhe zgjedhjet e saj, pa u ndrojtur për opinionin dhe mendimin e të tjerëve, pra një personalitet i formuar. Përballë ishte dëshmia e jetës së Gentës, që na kujton një realitet të hidhur, ku brishtësia emocionale shfrytëzohet nga meshkujt, përdoret, shantazhohet. Sa raste ka që shumë femra shqiptare nga zona të varfra e të humbura të vendit tonë arrijnë derisa prostituojnë, nga mashtrimet dhe shantazhet që u bëhen. Viktima të një realiteti të prapambetur, që shtrihet në pjesën më të madhe të vendit tonë. Po kështu edhe problemi i çamëve, i cili ishte një e mirë e këtij programi që e nxori në pah.
Tani që mbaroi, besojmë mund të na i thuash më hapur ca gjëra… I konsideron personazhe konkurrentët e sivjetshëm? Kush ishte dhe kush nuk mund të bëhej i tillë? Pse?
Unë në çdo moment i kam thënë gjërat shumë hapur dhe tërësisht ashtu si i mendoj. I kam parë se kush ishin banorët e përzgjedhur, ashtu si publiku natën e parë të spektaklit dhe kam dashur t’i shoh me syrin e tij. Jam përpjekur ta bëj mirë këtë gjë. Jeni ju pastaj që duhet të më thoni sesi e kam bërë. Natyrisht, për shkak të kohës televizive mund të më mbetet merak që nuk kam pasur mundësi të ndërhyj në ndonjë debat apo të them diçka më shumë, por absolutisht nuk kam asgjë më tepër për të thënë se sa jam shprehur atje. Natyrisht, jo të gjithë banorët janë personazhe, por shumë prej tyre janë. Kishim për herë të parë një vajzë nga fshati që arriti në finale, një 18- vjeçare, si dhe një djalë nga Prishtina, Arbri, i cili e fitoi. Geri dhe Dritani e kam thënë shpesh që po të kishin hyrë që në fillim do të ishin bërë shumë më tepër protagonistë dhe do i kishin dhënë jetës aty brenda një rrjedhë ndoshta më të këndshme.
Mendon se me më shumë pjesëmarrje dhe studim mund të zbuloheshin të tjerë shqiptarë më interesantë se ata që pamë?
Puna e personazheve nuk është vetëm çështje studimi, por edhe shansi. Unë do të kisha preferuar një moshë mesatare, pak më të lartë, në mënyrë që eksperiencat e tyre të ishin më të shumta e kështu të kishin më shumë gjëra për të treguar. Ka shumë që janë vërtet interesantë jashtë dhe pastaj kur hyjnë aty, stepen dhe humbasin. Kjo ka të bëjë edhe me aftësinë për t’iu përshtatur telekamerave dhe idesë që janë të vëzhguar. Dy persona shumë të ngjashëm në tipologjinë e tyre kanë reagime shumë të ndryshme kur ndodhen në një situatë të tillë. Dhe këtë e vështirëson, se nuk mund të bësh një provë që të thuash se ky person bën e ky tjetri jo. Edhe për aktorët regjistrohen shumë kinoprova derisa vendoset nëse mund t’i besohet roli apo jo. Dhe ndodh edhe në këtë rast, që aktori i përzgjedhur të zhgënjen. Vetëm me intuitë, nuk mund të arrish të pamundurën. Por e rëndësishme është të ketë një bërthamë të mirë. Unë mendoj që të pesë finalistët e këtij viti ishin personazhe të vërtetë dhe e kanë merituar finalen.
Kishte në këtë “Big Brother” banorë që mbartin vlera? Cilat ishin vlerat e tyre?
Unë mendoj që vlerat kanë pak rëndësi në krahasim me cilësitë njerëzore. Në jetë mund të arrish të bësh shumë gjëra të suksesshme por në fund mbahesh mend për atë që je, pra çfarë njeriu ke qenë. Mund të jesh njeri me shumë karrierë por tek shoqëria nuk duhesh, se mund të jesh indiferent, arrogant apo fodull. Pra, janë cilësitë ato që e bëjnë njeriun të dashur për publikun, të lidhura me karakterin dhe reagimet e tyre. Imagjinoni sesa i mërzitshëm dhe i dështuar do të ishte “BB” nëse do të merreshin studentë që kanë mbaruar me nota maksimale apo me master. Në këtë format nuk është e rëndësishme se sa di por se çfarë je.
Ishe dakord me fituesin? Pse?
Isha dakord me fituesin, edhe pse më dukej një finale prej dy heronjsh që janë shumë të ndryshëm, por dhe shumë të ngjashëm në aspektin e popullaritetit. Të them të drejtën, deri në momentin që tha emrin Arbana nuk kisha asnjë ide se kush mund të ishte. Arbri besoj se ishte më shumë strateg, sidomos nga fundi. E thashë edhe natën e finales, që ai përdori një logjikë matematike jo vetëm në arsyetimet e tij, por edhe në veprimet dhe sjelljet. Më ka krijuar përshtypjen se e ka pasur si një grafik statistikor shumë të saktë për të vepruar, kundërshtuar dhe pastaj tërhequr sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Nëse e ka pasur këtë, e ka bërë me aq mjeshtëri sa publiku nuk e ka kuptuar. Nuk duhet të harrojmë që kishte një mirësi si person, kishte humor, dinte t’u përshtatej mirë situatave, debateve, të përballej në mënyrën e duhur, pa shkelur asnjëherë normat e etikës së komunikimit.
Ti vetë, kishe ndonjë të preferuar?
Kam pasur të preferuar ata banorë që e kam shprehur me fjalë.
Po gjatë viteve të ka ndodhur të apasionohesh dhe ti pas dikujt? Na trego ndonjë rast të veçantë?
Në vite ka ndodhur patjetër, por nuk ka ndikuar aq jeta e tyre në reality sesa jeta jashtë, kur kanë qenë me të vërtetë persona që nuk më kanë zhgënjyer për atë që janë edhe në jetën reale. Ti je një nga këto.
Çfarë i mungon këtij reality, çfarë duhet të përcillet më së shumti prej realitetit tonë?
Nuk besoj se i mungon gjë. Ka pasur një fitues, që është shumë i ndryshëm si karakter me fituesit e tjerë. Kjo bën që në edicionet e ardhshme të mos imitohet asnjë tip banori që mund të rezultojë në sytë e dikujt i suksesshëm. Ka pasur emocionale të forta, surpriza të bukura, situata të papritura, një spektakël çdo të shtunë mbushur me emocion dhe ritëm. Nuk duhet përcjellë asgjë më shumë në realitetin tonë sesa vetë realiteti. Nëse do të merrej guximi të vendosej se duhet përcjellë diçka më shumë, atëherë do të gabohej.
Të vjen ndonjëherë dëshira të ishe vetë pjesë e lojës për të marrë situatën në dorë?
Jo, jo, aspak. Jam tip që nuk mësohem dot me telekamerën as për disa orë e jo për disa javë. Por ka momente debatesh apo bisedash që më vjen të mendoj “ah si nuk jam aty t’u flisja dhe unë”.
Cili ka qenë për ty momenti më i vështirë i kësaj pune ndër vite?
Përgjegjësia për të folur mbi një qenie njerëzore e për ta kritikuar pa lënduar e ofenduar…

Advertisement