Çështja “Genta”, dy të dashurit në përballje


Megjithëse u tha shumëçka për jetën private të Gentës jashtë shtëpisë së “Big Brother”, duket se gjërat nuk janë qartësuar ende siç duhet. Ajo ka një lidhje tetëvjeçare me Rubensin dhe nuk e dimë nëse i ka dhënë me të vërtetë fund apo jo, dhe një lidhje të fundit, dymujore me Melsonin, i cili i ka përgatitur një surprizë të dashurës sapo ajo të dalë nga shtëpia. Ne i kemi vënë djemtë në një përballje, për të kuptuar më shumë mbi Gentën.


Melson Kurti: Jam gati ta takoj Gentën para gjithë publikut të “Big Brother”
Ai 27 vjeç, lindur dhe rritur ne Tiranë, menaxher club-esh dhe frekuentues i jetës së qejfit të kryeqytetit. Ajo 21 vjeç, lindur dhe rritur në një fshat të Korçës dhe rastësia i bën që të krijojnë një lidhje dashurie. Melson Kurti vjen me një rrëfim të dytë për “Panorama plus”, për të në treguar më shumë se si u ndje kur pa takimin e Gentës me Rubensin, që ai e quan ish-të dashurin e saj. Nëse nuk i patëm idetë shumë të qarta se çfarë do të ndodhë me lidhjen e saj tetëvjeçare me Rubensin, sidomos pas publikimit të fotove intime, Genta na e sqaroi më mirë teksa pohoi një javë më parë: “Rubensi është histori e shkuar, kur të dal nga ‘Big Brother’ me një tjetër kam për t’u martuar”. Mos bëhet fjalë për Melsonin? Çfarë kanë lënë pezull ata para hyrjes së Gentës në “Big Brother” dhe, mbi të gjitha, nëse Genta vendos ta nxjerrë përfundimisht Rubensin nga jeta e saj, mos ka vendosur që të fusë përfundimisht Melsonin? Në pamundësi që këto përgjigje t’i kemi nga Genta, pasi ajo është ende në lojë, i kemi kërkuar të na i sqarojë vetë Melsoni.
Në intervistën e kaluar, ti ke pohuar se me Gentën kishe një lidhje dymujore, pasi ajo ishte ndarë nga i dashuri i saj Rubensi dhe ke qenë vetë ti që e përcolle kur u fut në “Big Brother”. Si u ndjeve kur Genta u takua me Rubensin dhe ajo i kërkoi që ta kishte në krah?
Mendoj se Genta ishte shumë konfuze atë natë dhe në fakt kishte të drejtë. Ajo ka hyrë në “Big Brother” ndërkohë që ishte ndarë me Rubensin dhe pafytyrësia e tij mbërrin deri aty, sa hakmerret duke i nxjerrë fotot intime dhe më pas të përballet me Gentën mbasi e ka kryer këtë akt të turpshëm.
Pra, ti je i bindur që ato foto i ka nxjerrë Rubensi?
Patjetër që po, ato janë foto private të bëra nga dy njerëz dhe logjika të çon të mendosh se njëri prej tyre i ka nxjerrë, që në këtë rast është veçse ai. Ju e patë që Genta u çudit kur mori vesh për publikimin e fotove, pra ajo nuk i ka pasur diku të publikuara me dëshirën e saj, me dijeninë e saj.
Nga ai takim na u krijua ideja se pavarësisht lajmit për fotot, Genta nuk e konsideronte të mbyllur historinë me Rubensin, ty si t’u duk?
Ajo është një histori e mbyllur sipas meje. Sipas atyre që Genta më ka rrëfyer dhe nga ajo që pashë atë natë në “Big Brother”, mendoj se Genta thjesht e ka frikë atë, asgjë më shumë.
Ti ishe në dijeni të këtij takimi?
Isha, sepse Rubensi më kishte kërkuar që të shkoja bashkë me të për ta takuar Gentën, por unë nuk pranova. Aty bëhej fjalë që të sqarohej një çështje që kishte të bënte thjesht me ata të dy, unë nuk kisha asnjë arsye për të qenë prezent.
Të ka rrëfyer Genta për dhunën që ushtronte Rubensi mbi të?
Po, më ka treguar dhe në fakt më duket absurde se si një mashkull mund të vërë dorë mbi një femër. Nuk do ta bëja kurrë.
Genta të ka përmendur në biseda me banorët, madje ka thënë se i ngjan Metit, ish-konkurrent i “BB5”.  Pra duket që ajo të mendon, po ti?
Unë kam ndenjur me Gentën dy muaj dhe jam ndier shumë mirë me të. Ajo është një vajzë shumë e mirë dhe mendjehapur. Natyrisht që më mendon, edhe unë gjithashtu.
Duket se Genta ndërkaq ka reflektuar dhe në mendjen e saj e ka vendosur përfundimisht që me Rubensin nuk ka kthim. Po ti çfarë ke vendosur pas daljes së saj nga “Big Brother”?
Unë ia kam bërë të qartë që do ta pres dhe se lidhja jonë do të vazhdojë.
Nuk ndihesh pak i kërcënuar nga Rubensi, sepse thonë se edhe ai po e pret…
Nuk ndihem aspak, kam bindje që Genta e ka mbyllur përfundimisht historinë me të.
Kthimi do jetë thjesht një frekuentim, lidhje e hapur siç e ke quajtur ti, apo një premtim serioz?
Në fakt, nuk doja ta thosha publikisht. Por meqë ju po këmbëngulni, po ju them se Gentës do t’i kërkoj fejesë sapo të dalë nga “Big Brother”.
Nëse produksioni i “Big Brother” do të kërkonte të shkoje ta takoje Gentën publikisht, do pranoje?
Po, do pranoja.

Rubensi: Nuk do pranoj të takohem me Gentën, më ndau nga e fejuara ilegale


Lidhja serioze e Genta Gjalpit me Rubens Shehun 24 vjeç nga Korça, e përmendur nga vetë ajo në lojën e “Big Brother 5”,  tashmë ka marrë një drejtim krejt tjetër. Edhe pse ajo e komentoi si lidhjen më të rëndësishme në jetën e saj, pas së cilës ka ngelur e zhgënjyer, publiku pati mundësinë ta shihte “live” një përballje post ndarje, pas publikimit në faqet e shtypit rozë të disa fotove, ku Genta shfaqej e zhveshur. Pas shumë vitesh lidhjeje, që tashmë ka degjeneruar në konflikte, Rubensi pohon se ndonëse në spektakël la përshtypjen se do e priste Gentën pas daljes nga shtëpia, tashmë është i bindur se nuk gjen më asnjë motiv për ta takuar. “Kam kuptuar se Melsoni e ka seriozisht me të, dhe le të vazhdojnë”, thotë Rubensi. Ndërkohë që Genta e ka konsideruar Rubensin një ish, le të shohim replikën e tij.
Pas takimit me ty dhe gjithçka që pamë në atë përballje, duket se Genta këto ditë ka reflektuar duke të konsideruar një kapitull të mbyllur, ndërsa të ka quajtur një ish. Ke koment?
Po e di, dhe të them të drejtën nuk preferoj të kapem pas fjalëve të saj. E vërteta mes meje dhe Gentës do të dalë në jetën reale. Pasi ajo të dalë nga “Big Brother 5”, do të shohim nëse ajo thellë në veten e saj më konsideron vërtet një ish.
Në fakt ajo si me gjysmë shaka pohoi se do të martohej me dikë tjetër… Sa të vërtetë ka në këtë pohim të saj?
E thashë dhe më sipër, që nuk mund t’i besohet 100 për qind asaj çfarë thotë Genta. Hyn te tipat e lëkundur, kështu që koha do i vërtetojë gjërat.
Dhe në fund të fundit tani që e mendon me gjakftohtësi gjithçka, çfarë të ka mërzitur apo inatosur më shumë te Genta?
Më ka mërzitur pikërisht fakti se përse duhej të më referohej mua në bisedat e saj me banorët e tjerë, kur ajo kishte një lidhje tjetër paralele. Përse nuk e përmendi asnjëherë të dashurin e saj aktual, ashtu si dhe ai vetë e pohoi në gazeta?! Këtë pjesë nuk e kuptoj tek ajo. Genta duke qenë e vetëdijshme që ka të dashur tjetër jashtë shtëpisë, s’kishte pse të më përmendte mua gjatë gjithë kohës në bisedat me banorët. Nga ana ime unë sërish u tregova i kujdesshëm dhe nuk ia përmenda… Ajo duhet ta vlerësojë këtë fakt.
E ke fjalën për Melsonin, i cili ka folur vetë i pari për lidhjen dymujore me Gentën?
Ndoshta është një ndjenjë e njëanshme vetëm nga ai…
Po. Fakti që ajo pohoi se do martohet me dikë tjetër, na lë të kuptojmë se ajo diçka fsheh dhe ndoshta një plan ka në mendje. Gjithsesi, mendoj që ai e do dhe e ka seriozisht me Gentën, ndaj unë i hap rrugën. Le të vazhdojnë.
Ku bazohesh kur thua që ai e do seriozisht? Ta ka pohuar ai vetë?
Po, ma ka pohuar vetë atë që ndien për Gentën. Me logjikë kuptoj se fakti që ai është një menaxher club-esh nate dhe ka mundësi të njohë shumë femra, më lë të kuptoj që ai për Gentën ndien diçka ndryshe, derisa vendos vetë të flasë për të. Ai është një djalë që e njeh jetën dhe di të bëjë dallimin për femrën që kërkon të ketë në krah. Me sa duket, Genta i ka ngjitur dhe e kuptoj që ka diçka serioze mes tyre.
Po për ty çfarë është Genta në këto momente?
Për mua, në lidhje me Gentën personalisht e them me bindje që ka mbaruar çdo gjë. Unë dhe ajo s’mund të jemi më bashkë.
Ndërkohë ti nuk e dije më parë që ajo kishte këtë lidhje paralele dhe e mësove pasi hyri në BB. Po Genta do ketë për të mësuar diçka të fshehtë për ty, që ajo nuk e ka ditur kur ishit bashkë?
Po edhe Genta do të ketë ç’të mësojë. Ajo nuk e ka ditur, por kur të dalë do e marrë e vesh që unë paralelisht me lidhjen me të, kam pasur një të fejuar prej dy vitesh. Fejesa ime u lëkund pas përmendjes së emrit tim nga Genta në BB, dhe mori fund pas takimit tim me të në shtëpinë e vëzhguar. Tashmë me të fejuarën jemi ndarë shumë keq.
Si mund t’i jetoje kaq i qetë dy lidhje paralele pa qenë në dijeni as njëra dhe as tjetra?
E pjesëtoja kohën me te dyja aq bukur, sa asnjëra s’e mori dot vesh për tjetrën në asnjë moment. Arsyeja pse i mbaja të dyja paralelisht ishte se janë vajza prototipe, të veçanta dhe më tërhiqnin njësoj të dyja.
Meqë ti i premtove mbështetje si shok, vazhdon të kesh të njëjtin mendim pasi Genta të dalë. Do e takosh?
Në fakt, Genta e ka numrin tim të telefonit dhe mund të më telefonojë, por gjithsesi as një takim të tillë nuk i premtoj. Nuk besoj se do mund të më gjejë më Genta për të më takuar. Asgjë s’ka mbetur më për t’u thënë.  PanoramaPlus

Advertisement